Një konflikt i çastit është bërë shkak për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Kavajës, ku mbetën të vdekur dy persona.
Mësohet se, dy persona janë përfshirë në një përleshje fizike dhe në sherr e sipër kanë goditur njëri – tjetrin, njëri ka qëlluar me pistoletë dhe tjetri me thikë.
Për pasojë, kanë mbetur të vdekur të dy personat e përfshirë në konflikt. Mësohet se viktimat janë shtetasit Altin Rrexha (Sali Rexha) nga Kukësi dhe Edmond Gosa (Armand Gosa) nga Kavaja.
Me armë raportohet se ka qëlluar Altin Rexha nga Kukësi, ndërsa me thikë ka qëlluar Edmond Gosa nga Kavaja. Mësohet se, Gosa ka goditur me thikë Rexhën, më pas ky i fundit ka qëlluar tre herë ndaj Gosës.
Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave të saj, ndërsa viktimat janë dërguar në morgun e qytetit.
“Kavajë/Informacion paraprak: Më datë 29.03.2023, në Kavajë, tek kryqëzimi i valutës, ka ndodhur një konflikt midis dy shtetasve, ku shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Altin Rexha, 43 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur me armë zjarri shtetasin Edmond Gosa.
Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve paraprake në vendngjarje, do të kemi një informacion vijues.”, njofton Policia e Kavajës. (A2 Televizion)