Misioni vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë si gjithëpërfshirëse dhe paqësore, megjithëse tha se përfaqësimi i grave në zgjedhje vazhdon të jetë i ulët.
Petra Bayr, shefe e delegacionit të PACE që i vëzhgoi zgjedhjet e së dielës në Kosovë, tha të hënën gjatë një konference për media në Prishtinë se “i gjithë procesi i zgjedhjeve ishte shumë cilësor”.
“Votuesit e Kosovës kanë demonstruar zotimin e tyre për demokraci duke votuar në mënyrë paqësore dhe pa tensione gjatë 9 shkurtit 2025 për zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje kanë shfaqur një relief politik në të cilin janë përfaqësuar si komuniteti shumicë, ashtu edhe ai pakicë. Për më shumë, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës që ka pasur një gamë më të gjerë të zgjedhjes politike ka mundësuar proces edhe më demokratik”, tha Bayr.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit morën pjesë shumë partie nga komunitetet pakicë, nga to gjashtë parti nga pakica serbe, përfshirë Listën Serbe, e cila i kishte bojkotuar institucionet kosovare nga viti 2022. Por, Bayr tha se përfaqësimi i grave në fushatë në këto zgjedhje nuk shënoi rritje.
Ndërkohë, shefja e PACE përmendi edhe disa nga parregullsitë që janë raportuar gjatë ditës së zgjedhjeve, si mospërditësimi i listave të votuesve, dyshimet për fshirjen e lehtë të ngjyrës matrikuluese etj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ende nuk ka të dhëna për pjesëmarrjen e grave në këto zgjedhje, ndërsa Bayr tha se raporti i PACE do të flasë për këtë më hollësisht pasi të publikohet në një datë më vonë. Sipas ligjit në Kosovë, 30 për qind e listës zgjedhore duhet të jetë me kandidate gra për deputete. (A2 Televizion)