Kombëtarja e Kosovës do të luajë me Izraelin të shtunën në ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024.
Dardanët zhvilluan seancën e radhës stërvitore, ku grupi ishte i plotë dhe pa probleme fizike. Edhe pse në grup ka kundërshtarë të vështirë si Zvicra, Izraeli, Bjellorusia, Andora apo Rumania, në kampin dardan kanë besim se do të marrin maksimumin.
Në konferencën për shtyp, Vedat Muriqi u shpreh optimist për një rezultat pozitiv me Izraelin dhe beson fort te cilësitë e skuadrës .
‘’Me përkrahjen e tifozëve dhe të shtetit tonë, besoj se me shokët e mi brenda fushës do t’ia arrijmë qëllimit dhe do ta bëjmë historinë bashkë. Shumica e lojtarëve janë që kanë shumë minutazh në ekipet e tyre dhe janë në formë të shkëlqyeshme, prandaj sigurisht që kjo do të vërehet që nga ndeshja e parë. Normalisht, duhet edhe pak fat, por do të shkojmë në Izrael për fitore. Izraeli, së bashku me Zvicrën, janë rivalët më të fortë në grup dhe që parashikohet ta kalojnë grupin. Por, ne do të shkojmë atje ta bëjmë surprizën”, tha Muriqi.
Dardanët do të luajnë më 25 mars ndaj Izraelit, ndërsa 3 ditë më vonë presin Andorrën në Prishtinë. (A2 Televizion)