Detaje të reja kanë dalë në dritë për operacionin “Knock Out 6”, që çoi paraditen e djeshme në zbulimin e një baze armatimesh në fshatin Babicë e Madhe të Vlorës.
A2 CNN ka siguruar pamje të banesës që shërbente si “magazinë” armësh dhe bie në sy fakti se është e rrethuar me kamera sigurie. Brenda banesës ndodheshin vetëm familjarët e Luçiano Derajt. Në katin e parë, jetonin gjyshërit, njerka dhe babai i të riut, një ish-ushtarak që momentalisht punon si taksist.
Familjarët shprehen se u tronditën kur panë aq shumë policë në banesë. Jashtë kamerave ata thonë se në banesën dykatëshe, ku mësynë forcat speciale RENEA, u bë kontroll i befasishëm pa ndonjë urdhër paraprak kontrolli.
Sipas tyre, djali u arrestua në ambientet e punës dhe më pas u dërgua në banesë me pranga, ku u ushtrua edhe kontrolli i imtësishëm.
35-vjeçari Luçiano Deraj është pronar i një servisi makinash. Ai ka qenë i arrestuar në Itali në tetor të vitit 2014, pasi u kap me armë dhe 34 kilogramë marijuhanë. Deraj dyshohet se i përket një grupi kriminal, i cili bashkëpunonte me të ndjerin Edison Harizaj (i njohur si Faqedjeguri). Një pjesë e grupit ku ai bën pjesë, figurojnë të skeduar me dosjen e të zhdukurve në Vlorë.
Ndërkohë, sipas policisë pas vrasjes së Harizajt, Deraj dhe anëtarët e tjerë të grupit kanë rënë në sy për afërsinë me Ines Hajrullën, i cili ka rënë pre e disa atentateve, përgjatë viteve të fundit, por edhe me fisin Llanaj.
Sa i përket arsenalit të armëve që përfshinte snajperë, pistoleta, kallashnikovë, fishekë, maska, çifte, radiomarrëse dhe mina me telekomandë, nënvizohet se ai është më i madhi i gjetur ndonjëherë në qytetin bregdetar.
Për shkak të kalibrit 7.65 mm, snajperi që është sekuestruar dyshohet se është përdorur në ekzekutimin e fundit të ndodhur në Vlorë. Vrasja me snajper ndodhi më 7 janar në lagjen “Hajro Cakërri”, ku një predhë la të vdekur në vend 22-vjeçarin Gëzim Sinomati, teksa qëndronte në ballkonin e banesës së tij.
Maskat me silikon që janë gjetur përdoren për ndryshimin e imazhit të anëtarëve të grupit dhe bombat plastike për mos u kapur nga detektorët. Ato përfshihen në listën e mjeteve më të avancuara që përdorte ky grup ku Deraj bën pjesë. (A2 Televizion)