Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi se do të depozitojë kallzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryeparlamentares Lindita Nikolla, pasi nuk lejoi futjen e deputetëve në sallën plenare gjatë seancës së fundit.
“Për rreth 45 minuta deputetët e opozitës nuk u lejuan të futen në seancat plenare. Grupi i PD do depozitojë kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetares së Kuvendit dhe cilitdo tjetër që ka shkelur ligjin duke penguar deputetët e opozitës të futen në sallën e Kuvendit.
Bardhi akuzoi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese se raportojnë te Qeveria, ndërsa foli edhe mbi zhvillimet brenda demokratëve.
“Prej një viti jeni dëshmitarë sesi me urdhër të Ramës kryetarja e kuvendit në shpërdorim të pastër të detyrës pengon ekzekutimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ish-ministres OLTA XHAÇKA. Kryetarja e GJK e konsideronte këtë të paimagjinueshme, në fakt për një regjim kriminal e të korruptuar kjo është tërësisht e imagjinueshme, kur anëtarët e GJK i thërret në raportim drejtoresha e kabinetit e Ramës, Vali Bizhga siç ndodhi me Italinë, sigurisht që autoriteti i gjyqtarëve kushtetues nuk shkon më shumë sesa vartës të Ramës”.
Ai pranoi se “ku ka opozitarë dhe qytetarë që protestojnë Gazment Bardhi do t’i bashkohet çdo proteste”.
Bardhi foli edhe për vizitën në SHBA, ku theksoi se shtetet e Bashkuara mbështesin Shqipërinë dhe nuk kanë aleancë me asnjë parti apo individ.
“Sa i takon vizitës në SHBA nuk dua të ngatërroj vizitën time me zhvillimet e brendshme në PD apo në Shqipëri. Dua të ripohoj se SHBA mbështesin Shqipërinë e zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Nuk kanë asnjë aleancë me asnjë individ, nuk mbështesin asnjë individ e asnjë parti. ne bashkohemi rreth ideve dhe jo rreth individëve”. (A2 Televizion)