Sot është nënshkruar marrëveshja për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë dhe për kryeministrin Edi Rama, ky është një triumf i politikës, si mjeti i vetëm për ta bërë realitet, por edhe i tij personal.
Në reagimin tij, Rama shprehet se qeveria e tij ia ka dalë që të nënshkruajë një marrëveshje të tillë me plot 16 vende, në ndryshim nga qeveria e mëparshme e Sali Berishës. Për ditë si kjo, thekson kryeministri, “u aka bërë hallall të gjithëve akuzat, sharjet dhe ofendimet”.
“Sot është një ditë e bukur për familjet shqiptare në Itali. Puna e tyre e ndershme, vitet e tyre të njëpasnjëshme në punë për të ndërtuar një ekonomi familjare me mund e me djersë, kontributi i tyre në ekonominë dhe në sigurimet shoqërore të vendit të dashur fqinj, nga sot do t’u kthehen në pensionet e tyre, secilit e secilës sipas asaj që u takon.
Sot është një ditë triumfi edhe për politikën si një mjet i pazëvendësueshëm për ta bërë më të mirë, më të sigurtë, më dinjitoze jetën e njerëzve të zakonshëm. Për mua është një nga ato ditë fatlume, kur ndjenja e të qenit i vlefshëm për njerëzit e këtij vendi bëhet shumë e prekshme dhe e barazon me zero të gjithë peshën e rëndë të baltës së arenës politike e mediatike.
Kjo është një nga ato ditë kur them me plot gojën, hallall sharjet, akuzat, shpifjet, llafet e pafundme që nganjëherë bëhen aq shumë sa të vjen të thuash në dreq të gjitha! Po pastaj përpjekja vazhdon e vazhdon, me durim e me këmbëngulje për të parë ditë si kjo, kur mundi dhe mosdorëzimi përpara vështirësive, pengesave, vonesave, të cilat nganjëherë kthehen deri në zvarritje jashtë vullnetit tënd, shpërblehet me buzëqeshjen e familjeve që kanë pritur atë që meritojnë.
Sot janë mbi 500 mijë shqiptarë që mund të buzëqeshin për fundin e një odiseje të gjatë tridhjetë e kusur vite. Qëkur ne nisëm të flasim me qeverinë italiane të kohës për pensionet e emigrantëve shqiptarë dhjetë vjet më parë, ata kanë pritur e kanë pritur. Fillimisht dukej krejt e pamundur për shkak të peshës domethënëse financiare të një marrëveshjeje të tillë. Por ja ku ia dolëm edhe kësaj, ndërkohë që këto dhjetë vjet nisëm dhe mbyllëm me sukses negociatat për marrëveshjet e pensioneve me plot 16 shtete, që nga Gjermania deri në Kanada, ndërkohë që të gjitha qeveritë e mëparshme të mbledhura bashkë kishin mbyllur vetëm një të tillë në thuajse çerek shekulli, atë me Turqinë dhe edhe atë e ka negociuar e mbyllur një tjetër qeveri socialiste para thuajse njëzetë vjetësh”, tha Rama.
Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila do të mundësojë njohjen e sigurimeve shoqërore për mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali u nënshkrua këtë të martë dhe përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë.
Marrëveshja u firmos nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologu italian, Antonio Tajani. (A2 Televizion)