Stoku i bujqësisë, specialisti: Fermerët të orientohen me kushtet e format e tregut

Nga A2 CNN
4 Mars 2023, 16:55 | Aktualitet
Stoku i bujqësisë, specialisti: Fermerët të orientohen me

Molla, patatja, qepa dhe fasulja janë produktet kryesore bujqësore që kultivohen nga fermerët në qarkun e Korçës dhe njëkohësisht mundësia e vetme për familjet e tyre për të siguruar të ardhura financiare.

Por ajo që vijon të mbetet një ndër problematikat kryesore të fermerëve janë mungesa e tregut për të shitur këto produkte, çmimi i ulët dhe kostot e larta të mbjelljeve dhe shërbimeve deri në vjeljen e produktit.

Dhe pjesë e konsiderueshme e këtij të fundit hidhet në kanale… “Nuk arrin dot të nxjerrësh kostot. Më shumë fiton tregtari se sa unë”, tregon një fermere.

Por si vlerësohet situata nga drejtoria rajonale e bujqësisë për qarkun e Korçës. “E vërteta është që të gjitha produktet e cilësisë së parë, nuk hidhen asnjëherë”, thotë Vullnet Gjolla, drejtor i bujqësisë, qarku Korçë.

A orientohen fermerët mbi llojet e kulturave dhe sasinë që duhet të mbjellin. “Është e vështirë që këshillat tona të dëgjohen në maksimum për shkak se ata merren me atë produkt ku shohin fitime më të larta”, thotë Gjolla.

Në të tilla kushte kush është zgjidhja apo orientimi që jep drejtoria e bujqësisë së qarkut, në mënyrë që fermerët të arrijnë të vjelin të ardhura financiare për produktet që prodhojnë. “Zgjidhja është aplikimi në skemat subvencionuese dhe krijimi i shoqërive të bashkëpunimit bujqësor me fermerët, dhe lidhjen e kontratave, qoftë me tregtarë vendas, qoftë me ato të vendeve të Bashkimit Europian”.

Përshtatja e fermerëve me kushtet dhe format që kërkon tregu duket si e vetmja mundësi që tokat e tyre të prodhojnë produktin e kërkuar dhe shitjen me çmimin e duhur.

A2 CNN Livestream

Parashikimi i motit