Të dyja palët e Partisë Demokratike i janë drejtuar KQZ-së për t’u regjistruar në zgjedhje dhe mundësia që të përsëritet një “6 Mars” i dytë duket më e realizueshme se kurrë. Këtë mendim ndanin të ftuarit mbrëmjen e kësaj të hëne në “Debat” në A2 CNN.
Për gazetarin Mentor Kikia, deri më tani, ai që duket më i sigurt është skenari që në KQZ të regjistrohet si PD, grupimi i Bashës ndërsa grupimi i Berishës të futet në koalicion me Partinë e Lirisë dhe partitë e tjera aleate.
Por, deputeti Luan Baçi këmbëngul se grupimi i Alibeajt nuk i ka mundësitë që të dalë me kandidatë pasi, siç u shpreh ai, demokratët nuk e njohin.
“Duam apo nuk duam ne, Basha është kryetar. Ata kanë bërë një lëmsh, nga ligësia, paqartësia që kanë. Të bashkohemi me një kandidat dhe fitues? T’i mbledhë demokratët një herë, të shohim ku i kanë,” u shpreh Baçi.
Megjithatë, për gazetarin Kikia dhe analistin Agim Baçi gjasat janë që PD të prezantohet në një pjesë të konsiderueshme të bashkive me dy kandidatë dhe kështu, ajo që do të përfitojë sërish do të jetë Partia Socialiste.
Nga ana tjetër, deputeti Luan Baci theksoi se çështjen do ta dërgojnë deri në Strasburg “derisa e drejta të shkojë te i zoti,” por shtoi se deri atëherë nuk mund të mos paraqiten në zgjedhje. (A2 Televizion)