Të huajt mbi klimën e biznesit: Korrupsioni, kancer që kërkon të gjitha përpjekjet për t’u mundur"

Nga Marjo Brakaj
17 Nëntor 2023, 14:43 | Ekonomi

“Korrupsioni është një kancer që kërkon të gjitha përpjekjet tona për t’u mundur”, shprehet Alessandro D’Oria, President i FIAA.

Duke iu referuar një studimi nga profesori italian Vittorio Teotonico mbi klimën e biznesit në Europë dhe Ballkan, presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Alessandro D’Oria tha: “Korrupsioni ka një ndikim negativ në cilësinë dhe kohën e realizimit të të mirave, shërbimeve dhe punët publike, gjithashtu edhe në mundësinë e përdorimit të tyre. Ai cenon konsumatorët dhe veçanërisht shtresat më vulnerabël. Në të njëjtën kohë ai çrregullon administratën publike dhe prish të gjithë ekuilibrat e buxhetit të shtetit. Mbi të gjitha, prishet konkurrenca, ushqehet qarkullimi i parasë së pakontrolluar, rrudhen investime dhe në fund zgjerohet borxhi publik.” 

Më i drejtpërdrejtë për klimën e biznesit në Shqipëri dhe veçanërisht korrupsionin u tregua kryetari i prezencës në OSBE në Shqipëri, Bruce Berton.

 “Ashtu siç kolegët tanë nga Komisioni Europian diktuan në progres-raportin e fundit për Shqipërinë, korrupsioni mbizotëron në shumë fusha në drejtim të aktiviteteve publike dhe atyre të biznesit. Kjo do të thotë se ka ende një rrugë të gjatë për të ecur për të siguruar se sektori i biznesit dhe jeta shoqërore të jenë të lirë nga kërcënimi”, tha Berton.

Nga konferenca dedikuar përpjekje antikorrupsion me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tregoi edhe mbi përpjekjet që institucioni që ai drejton po bën.

 “Ministria e Drejtësisë ka identifikuar rreth 1370 shërbime që do të analizohen një për një me qëllim eliminimin e dokumenteve dhe shkurtimin e afateve dhe burokracive. Ato janë barrë për bizneset duke krijuar një bazë mes tij dhe administratës. Çdo dokument që mund të sigurohet nga administrata do të kryhet nga ajo vetë duke lehtësuar qytetarët dhe bizneset”, ka deklaruar Manja.

Në anketën e fundit të zhvilluar, atë të muajit tetor, Shoqata e Investitorëve të Huaj u ankua se pavarësisht përmirësimit të disa treguesve, klima e të bërit biznes vijon të jetë problematike. Kjo për shkak të sistemit gjyqësor, mungesës së transparencës nga qeveria, pamundësia për forcë punëtore, legjislacioni fiskal dhe administrata tatimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos