Vendimi i Apelit, Meta: Vula e PD-së u hoq nga kthetrat kriminale të Edi Ramës

Nga A2 CNN
11 Qershor 2024, 13:59 | Politikë

Vendimi i Apelit, Meta: Vula e PD-së u hoq nga kthetrat kriminale të

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, aleati i Sali Berishës është shprehur se tashmë vula e Partisë Demokratike është rikthyer te demokratët e vërtetë. Në një konferencë për mediat nga selia e PL-së, Meta tha se PD-ja nuk është më në “kthetrat kriminale të Edi Ramës”. Ky vendim për Metën, është një moment i rëndësishëm për të shtuar forcat e rivendosjes së legjitimitetit, kushtetutshmërisë, parlamentarizmit dhe llogaridhënies. 

“Rikthehet vula te demokratët dhe e heq nga kthetrat kriminale të Edi Ramës. U përpoqën të shkatërronin PD-në si forcën e parë opozita që solli pluralizmin në vend dhe që ka merita të jashtëzakonshme. Urimet më të mira për demokratët dhe të gjithë opozitarët dhe sot është një moment i rëndësishëm për të shtuar të gjithë forcat për rivendosjen e parlamentarizmit dhe kushtetueshmërinë të cenuar rëndë dhe vendosjen e llogaridhënies në çdo nivel. Ramës i duhej shkatërrimi i opozitës për të marrë zgjedhjet vendore siç edhe ndodhi”, tha Meta.

Meta nuk kurseu as batutat.

“Apeli nuk i dha vulën Berishës, vetë Sali Berisha është vula”, shtoi ai.

Reagimi erdhi pasi vula e Partisë Demokratike tashmë do të jetë në dorën e Sali Berishës. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati vendosën sot që të mos pranojnë ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke ia marrë vulën e PD-së Lulzim Bashës dhe duke ia dorëzuar Sali Berishës.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi